
Dita e parë e devijimit të akseve rrugore hyrëse dhe dalëse nga kryeqyteti kanë shkaktuar trafik të rënduar gjatë ditës. Shoferët ankohen për qëndrimin e gjatë në trafik, ndërsa qytetarët kanë udhëtuar në këmbë drejt terminalit të autobusëve.
Për të dalë jashtë Tirane, drejtuesit e automjeteve do të përdorin një segment provizor në të djathtë të punimeve. Nga katër korsi dalëse, automjetet kanalizohen në dy të tilla, deri sa kalon punimet.
Drejtuesve të mjeteve u duhet të paktën 30-60 minuta për të hyrë në kryeqytet, situatë që pritet të zgjasë për 4 muaj.
Të revoltuar për trafikun e krijuar, shoferët thonë se hapja e punimeve në vjeshtë nuk është një ide e mirë. Vështirësi në lëvizje kanë pasur edhe qytetarët të cilët nga terminali drejt lagjeve të kryeqytetit kanë udhëtuar në këmbë, pasi urbanët janë bllokuar në trafik.
Mbingarkesë nga trafiku kanë pasur edhe rrugicat hyrëse të Tiranës. As në këto segmente drejtuesit e automjeteve nuk kanë gjetur kalim të lirë. Përreth punimeve, policët e trafikut mundohen të orientojnë shoferët me ndryshimet e reja.
Për të hyrë në qendër të Tiranës, drejtuesit e mjeteve duhet të kalojnë nga Astiri. Më pas, duhet t’i drejtohen rrugicës që të nxjerr tek ish-fusha e Aviacionit, e për të dalë më pas në Laprakë. Për qytetarët që dalin jashtë Tirane nga Astiri, rruga është e njëjta, shoqëruar me disa devijime të vogla. Këto segmente provizore do të jenë për të paktën 4 muaj, deri atëherë kur është parashikuar përfundimi i rrethrrotullimit të ri të Doganës. (A2 Televizion)