A është politika që kontrollon biznesin apo biznesi, paraja dhe oligarkia bën politikën? Ajo që shihni së largu për Tokën e Premtuar, ju rrëfehet nga Chomsky për Amerikën, për pushtetin e për fuqinë që ka demokracia.
“SHBA është ëndrra për shumë vende, popuj dhe njerëz, kjo edhe për shqiptarët, por Chomsky tregon edhe defektet dhe plagët e shoqërisë, ekonomisë dhe zhvillimit amerikan”, tregon për A2 Petrit Ymeri, i shtëpisë botuese Dituria.
Ndonëse Chomsky tregon për Amerikën, libri i flet shumë edhe shoqërisë shqiptare, si për oligarkët që mbështesin politikën po ashtu edhe për sistemin e arsimit.

“Chomsky përmend se si korporatat e mëdha sponsorizojnë zgjedhjet. Ai i kundërvihet utopisë negative të neoliberalizmit, sipas të cilit tregu rregullon çdo gjë. Është temë që diskutohet edhe te ne, sepse janë oligarkët që vendosin se çdo të bëhet, janë ata që bëjnë ligjet si i duan dhe kur i duan.
Ky libër, i Noam Chomsky-t shumë shpejt tërhoqi edhe vëmendjen e kineastëve të cilët e realizuan këtë këndvështrim të mendimtarit edhe në një dokumentar të quajtur “Requiem for the American Dream”, mbështetur dhe frymëzuar nga libri i tij, ai që na tregon dhjetë ligjet e pushtetit. (A2 Televizion)