Libra si pasuri gjuhësore, Ernest Koliqi dhe Xheladin Gosturani ju ftojnë të pasuroni shqipen

Nga A2 CNN
1 Dhjetor 2020, 18:26 | Kulturë

Ernest Koliqi i ka munguar lexuesit shqiptar shumë gjatë, por ai rikthehet në vendin ku gjatë diktaturës ia mohuan veprat. Një botim i Berk ku përmblidhen veprat e tij, vjen këtë dimër si një dhuratë e mirë për gjuhën shqipe. Për festat e nëntorit Berk solli edhe një tjetër vepër, për gegërishten verilindore.

Kjo është një librari e re në kryeqytet, një librari e vogël por e pasur me filozofi, letërsi, gjuhësi, histori dhe shije të mirë artistike. Jemi në Berk, një oaz kulture në kryeqytet, ku Anna Shkreli na ka ftuar edhe për të prezantuar dy botime të reja.

Ernest Koliqi është drita që i shtohet kësaj librarie e biblioteke, një vepër që i ka munguar për vite bibliotekave të atyre që e duan librin.

 “Botimi i Koliqit është lajm i shumëpritur. Ai vuajti një “damnatium memoriae” gjatë regjimit, dhe është një figurë e debatuar edhe vitet e fundit. Vepra  e tij edhe pas viteve ‘90 nuk ka patur një botim të plotë dhe të kujdesshme ndaj autorit. Kjo vepër është kuruar nga Ardian Ndreca, që kujdeset që në parathënie të prezantojë Koliqin edhe në sytë e një lexuesi të ri”, shpjegon për A2 Shkreli.   

Botimi tjetër është një monografi e Gosturanit për gegërishten verilindore.

“Është një nga veprat më të rëndësishme të Gosturanit. Një vepër e pabotuar më parë, që përfaqëson edhe një plotësim i studimeve mbi variantet e gjuhës shqipe, ku gegërishtja ka qenë më e penalizuara”, shton drejtuesja e Berk.  

Si një dhuratë për festat e nëntorit, për gjuhën shqipe, këto janë sugjerimet e Annës nga shtëpia e Berk. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos