Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të regjistruar së fundmi në Krujë, ku disa pjesëtarë të fisit Rraja kanë ushtruar dhunë barbare ndaj dy kushërinjve, të cilët i kishin denoncuar në polici për zhurmat në guroret e autorëve.
Sipas ministrit të Brendshëm, pamjet janë të papranueshme, ndërsa siguroi se askush nuk është mbi ligjin dhe se askush nuk do ti shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë.
“Të rënda e të papranueshme pamjet e dhunës në Krujë. Askush nuk është mbi ligjin dhe s'mund t'u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë. Policia e Shtetit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të dyshuarve, ka arrestuar 4 persona sot herët në mëngjes dhe po punon për kapjen sa më parë të 3 të tjerëve të përfshirë në ngjarje. Çdo insinuatë tjetër s'ka lidhje me të vërtetën dhe me punën e Policisë së Shtetit për të çuar autorët përpara drejtësisë.”
Reagimi i ministrit Çuçi në Twitter

Kujtojmë se, ditën e sotme Policia e Shtetit arrestoi 4 persona dhe shpalli në kërkim 3 të tjerë për rrahjen brutale që iu bë dy kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja. Për ngjarjen e ndodhur më shumë se 24 orë më parë në zonën e Thumanës policia shoqëroi në total 8 persona ndërsa në pranga ranë Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja.
Mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit Rexhep Rraja. Sipas policisë shkak i ngjarjes së rëndë është bërë një gurore në fshatin Borizanë në pronësi të Përparim Rrajës, i afërm I deputetit socialist i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për aktivitetin.
Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja kishin bërë denoncim në polici se shpërthimet gjatë punimeve në gurore kishin krijuar dëme materiale në banesat e tyre por edhe shqetësime. Mesditën e së enjtes ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores kur grupi i dhunuesve mësynë lokalin dhe filluan ti godasin me shkopinj deri sa njërit prej kushërinjve Maja i bie te fiket teksa goditet ndërsa dhunuesit i drejtojnë dhe pistoletën. (A2 Televizion)