
Policia ka arrestuar anëtarë të familjes Rraja, të cilët kanë goditur dy personat e familjes Maja, në një video që u bë virale në rrjetet sociale.
Mësohet se konflikti nisi për shkak të një guroreje, ndërsa nga dhuna me sende të forta kanë mbetur të plagosur 2 persona, Jashar Maja dhe Bilbil Maja, me këtë të fundit që ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas policisë, janë arrestuar 4 persona dhe janë shpallur në kërkim 3 të tjerë. Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja.
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në lidhje me një konflikt në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, ku shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J. M., shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja, dhe të Repartit Special RENEA, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë, shtetasit:
- I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, P. Rr., 65 vjeç, N. M., 35 vjeç, L. Rr., 54 vjeç, D. Rr., 31 vjeç.
Në vijim të veprimeve hetimore u bë ndalimi i shtetasve I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, për veprat penale "Plagosja e rëndë me dashje", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit", "Moskallëzimi i krimit" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës".
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Xh. Rr., 65 vjeç, F. Rr., 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç.
Shtetasit e mësipërm, ditën e djeshme, rreth orës 11:00, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., dhe shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licensë për zhvillimim e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale. (A2 Televizion)