
Këtë të diel është rikthyer dhuna në futbollin shqiptar, me agresionin që këtë herë ka ndodhur në fushën e lojës. Arbitri kryesor, Eldorjan Hamiti është goditur menjëherë pas mbylljes së ndeshjes, ku Kamza barazoi 1-1 në shtëpi ndaj Laçit.
Penalltia e shndërruar në gol nga Najdenov në minutën e 96 dhe që i hoqi Kamzës fitoren, u shoqërua me skandal. Tifozët vendas hynë në fushë dhe dhunuan arbitrin Hamiti. Rojet private të sigurisë e kishin të pamundur të përballonin tifozët dhe u nevojit ndërhyrja e policisë, të cilët arritën me vështirësi të qetësonin situatën.
Madje, dhuna ndaj gjyqtarit vazhdoi edhe ndërkohë që policia ishte në fushë për të mbrojtur arbitrat nga agresoret.
Për këtë ngjarje, e cila është e përsëritur në disa stadiume të vendit këtë sezon, erdhi edhe reagimi i FSHF, ku me anë të një njoftimi për shtyp thuhej se është cenuar gara.
“Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve të Policisë së Shtetit, detyrë e cila siç u evidentua edhe në ngjarjen e sotme vazhdon të mos kryhet”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Ndërkohë, A2CNN ka mësuar se në një situatë të tillë, Federata Shqiptare e Futbollit po mendon edhe pezullimin e kampionatit, deri në gjetjen e gjuhës së përbashkët me policinë për ruajtjen e sigurisë në stadiume. (A2 Televizion)