Dhunoi mësuesin e dyshuar për ngacmim seksual, lihet i lirë vëllai i nxënëses

Nga A2 CNN
19 Janar 2023, 09:44 | Kronikë
Dhunoi mësuesin e dyshuar për ngacmim seksual, lihet i lirë

Lirohet nga ambientet e Komisariatit të Policisë së Tepelenës A.G. 29 vjeç, vëllai i njërës prej nxënësve 13-vjeçare të pretenduara se janë ngacmuar seksualisht nga mësuesi i edukimit fizik në shkollën 9-vjeçare në qytetin e Tepelenës, Kleanthi Laçi.

Mbajtja e tij në dhomat e izolimit në Komisariat nuk ka kaluar as kufijtë e 48-orarëshit, pasi Prokuroria e Gjirokastrës e ka quajtur të paligjshëm arrestimin e tij dy ditë më parë, pasi u vetëdorëzua në Komisariatin e Policisë pas dhunës së ushtruar ndaj mësuesit 59-vjeçar.

Mësohet se lirimi i 29-vjeçarit nga dhomat e izolimit është bërë përmes një urdhri të posaçëm prej prokurores Edlira Manelli, e cila e ka vlerësuar si të paligjshëm arrestimin e A.G., pasi nuk i kishte shkaktuar dëme të rënda mësuesit Kleanthi Laçi.

Rrjedhimisht, dhunuesi i këtij të fundit zhvishet nga çdo akuzë e ngritur dhe kësisoj është i lirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos