
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nuk ka lëvizur nga deklaratat e tij se dialogu me Beogradin zhvillohet për njohje reciproke, pavarësisht deklaratave të Presidentit Vuçiç, se Serbia nuk do e njohë kurrë Kosovën.
Në një intervistë për DW, Hoti tha se vetëm reciprociteti mund të normalizojë marrëdhëniet mes palëve.
“Dialogu zhvillohet për njohje reciproke dhe asgjë tjetër, sigurisht zhvillohet edhe për normalizim të marrëdhënieve në të gjitha fushat, por duke filluar nga njohja reciproke, sepse vetëm njohja reciproke siguron normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, deklaron kryeministri.
Pas anulimit të takimit mes palëve, të planifikuar për t'u zhvilluar më 27 qershor në Uashington, për shkak të padisë ndaj Thaçit, Hoti tha se në tryezën e bisedimeve, në vend të presidentit, do të ulet ai.
“Në bazë të Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, sa i përket procesit të dialogut, është qeveria që ka përgjegjësi kushtetuese të udhëheqë këtë proces”, shtoi Hoti.
Kryeministri i Kosovës më pas hodhi poshtë deklaratat për një konkurrencë BE-SHBA në dialogun Kosovë-Serbi
“Unë nuk kam përshtypjen që ka ndarje të tillë. Unë e shoh rolin e BE-së dhe SHBA-së komplementar në këtë proces”, u shpreh kryeministri.
Sa i përket liberalizimit të vizave, Hoti tha se me marrjen e presidencën se BE-së nga Gjermania, pritshmëritë janë të larta, por u rezervua të jepte një datë. (A2 Televizion)