
Sot në Bruksel do të zhvillohet takimi në nivel ekspertësh, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se aty do të diskutohet për çështje të bashkëpunimit ekonomik.
Delegacionin e Kosovës pritet ta drejtojë koordinatori shtetëror për dialog, Skënder Hyseni. Ky takim do t’i paraprijë një takimi tjetër të liderëve të Kosovës dhe Serbisë, po ashtu në Bruksel.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, rifilloi më 16 korrik, pasi ishte ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën ndaj mallrave serbe. Ndërkohë, më 4 shtator palët do të kenë një takim edhe në Uashington. (A2 Televizion)