
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se Kosova nuk është palë bllokuese në dialogun me Serbinë.
Gjithashtu njoftoi synimet që negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian të intensifikohen, për të arritur deri tek marrëveshja përfundimtare, me njohje reciproke.
“Nëse qëllimi i të gjithave palëve është për një rajon stabil, për Kosovë të pavarur dhe të përparuar atëherë ne në asnjë pikë nuk dallojmë mes përfaqësuesve pesëshes që ishte në Prishtinë dhe qëllimeve dhe përpjekjeve të qeverisë së Republikës së Kosovës. Mund të kemi dallime në zbatimin e pikave të dakorduara, megjithatë qasja e kryeministrit është që Kosova vetëm si shtet i pavarur mund të funksionojë tutje në raport edhe me marrëveshjet e mëhershme. Prandaj, nëse aty ka pasur qasje te ndryshme, atëherë është çështje me të cilën mund të punohet, por assesi Kosova nuk është palë bllokues ose institucionet e Republikës së Kosovës nuk janë pala destruktive në këtë proces.
Dihet pse jemi në këtë proces, dihet pse kemi ardhur deri këtu dhe dihet kush është fajtori i ngjarjeve në fundshekullin e kaluar në Ballkan përfshirë edhe Kosovën”, tha Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. (A2 Televizion)