
Vatrat e zjarreve vijojnë të djegin sipërfaqe të tëra me kullota dhe pyje në vend. Një vatër zjarri që u përhap me shpejtësi, duke rrezikuar banesat, u shfaq pasditen e së mërkurës në Bushat, në Bashkinë e Vaut të Dejës.
Fillimisht, zjarri përfshiu një pjesë të konsiderueshme të Malit të Zefjanës, ndërsa era e orientoi drejt banesave të fshatit Rranxa dhe varrezave të këtij fshati. Kanë qenë banorët e zonës dhe më pas forcat zjarrfikëse, të ndihmuara edhe nga efektivët e ushtrisë, që kanë mundur të mbajnë nën kontroll flakët, për të mos lejuar përhapjen e tyre në banesat dhe varrezat e fshatit.
Mëngjesin e sotëm, zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa zjarrfikësit janë në gadishmëri për të shmangur riaktivizimin e vatrave. (A2 Televizion)