Trajneri i Marokut, Walid Regragui, ka bërë mrekullinë në këtë Kupë Bote, duke dërguar për herë të parë në histori një ekip afrikan në gjysmëfinalet e një Botërori.
Nga ana tjetër, veterani Olivier Giroud po zëvendëson në mënyrën më të mirë të mundshme Topin e Artë, Karim Benzema, në krye të sulmit francez, duke shënuar 4 gola deri tani në “Katar 2022”.







Të mërkurën, Regragui dhe Giroud do të jenë përballë njëri-tjetrit, por shumë pak njerëz e dinë që dikur kanë qenë shokë ekipi. Në rrjetet sociale, pasi u përcaktua gjysmëfinalja Francë-Marok, nisi të qarkullonte një foto ku sulmuesi francez dhe trajneri i Marokut ishin shokë ekipi.
Ata kanë kaluar bashkë 2 muaj te Grenoble dhe kanë luajtur 45 minuta me njëri-tjetrin në një miqësore ndaj Strasbourg, në verën e vitit 2008. (A2 Televizion)