
Ambasadori austriak në vendin tonë, ka qenë shumë i hapur në një prononcim në lidhje me ngërçin politik dhe institucional që ka mbërthyer vendin. Ai është shprehur se ndoshta ka ardhur koha që kjo krizë t’i bëjë palët të reflektojnë për të ndryshuar edhe sistemin, pasi në këtë mënyre nuk po funksionon.
“Shqiptarët nuk kanë më besim te ky sistem, sepse shumë prej tyre e kanë pësuar. Prandaj shpresoj që kriza aktuale mund t’ju japë kohë për të reflektuar për ndryshuar këtë sistem që nuk po funksionon. Në vendet e tjera zgjedhjet i zgjidhin krizat, ndërsa në Shqipëri jo”, u shpreh Johann Sattler.
Ambasadori u ka bërë një apel edhe qytetarëve që të mos rrinë indiferentë përballë kësaj situate, por të bëhen bashkë në mënyrë që të mos i lejojnë drejtuesit e partive që të bëhen diktatorë.
“Është e lehtë për të thënë që është faji i klasës politike, është edhe faji juaj. Pse rrini në shtëpi, pse nuk shkoni të nënshkruani një peticion, të detyroni partitë të jenë të hapura, mos i lini kryetarët të jenë diktatorë, duhet të gjeni një çështje të mirë për të luftuar që mund të jetë ose jo politike. Duhet të bëni më shumë se politikanët tuaj”, shtoi ai. (A2 Televizion)