
“Ditën e mërkurë unë diplomohem, por babai im preferon të shohë finale e Romës”.
Kjo është historia e Martës gjatë një programi radiofonik të drejtuar nga Roberto Arduini dhe Andrea Di Ciancio në Rai Radio 2.
Vajza tregon se të mërkurën më 31 maj do të diplomohet për biologji por në këtë ditë të rëndësishme për jetën e saj nuk do të ketë babanë, pasi ai ka zgjedhur të shikojë ekipin e zemrës teksa luan finalen e Europa League në Budapest përballë Sevillas.
"Unë quhem Marta dhe dua t'ju them diçka që më bën të ndihem keq. Të mërkurën marr diplomën për Biologji, por babai im nuk do të jetë në ceremoni sepse më tha se kishte gjetur biletat për finalen e Europa League mes Roma dhe Sevilla në Budapest. Për një burrë 60-vjeçar, diplomimi i vajzës së tij vjen pas ekipit të tij të futbollit”.
Lajmi bëri menjëherë xhiron e internetit, duke shkaktuar komente në favor të të dyja palëve. Ka nga ata që e konsiderojnë të papërshkrueshme sjelljen e babait, pasi do të humbasë një nga ditët më të rëndësishme të jetës së vajzës, por edhe nga ata që janë dakord me këtë të fundit: “Ky zotëria është një tifoz i madh, duhet kuptuar. Nuk ka egoizmi, edhe prindërit duhet të bëjnë gjëra për veten e tyre dhe jo vetëm për fëmijët”, komentoi një dëgjues.
Të mërkurën, skuadra e drejtuar nga Josè Mourinho do të luajë finalen e dytë europiane radhazi përballë Sevillas në finalen e Europa League. Një takim që nuk duhet humbur për shumë fansa dhe mesa duket edhe për babanë e Martës.
Por ka nga ata që pavarësisht lidhjes me ngjyrat e Romës, kanë bërë një zgjedhje ndryshe. Ky është rasti i Daniele De Rossit, ikonës së Romës, i cili nuk do të jetë në Budapest për të ndjekur ekipin e zemrës për të marrë pjesë në diplomimin e vajzës së tij Gaia .
“Roma më ftoi me dashamirësi në finale dhe me keqardhje të madhe u desh të refuzoja. Por kur një pjesë e zemrës të diplomohet nuk mund ta humbasësh, nuk ka finale para saj”, u shpreh De Rossi. (A2 Televizion)