
Shpresat e Tottenham për të konfirmuar holandezin Arne Slot në krye të pankinës pas largimit të Antonio Contes në verë, janë shuar përfundimisht.
Ishte vetë Slot që refuzoi ofertën e Daniel Levy, duke u shprehur se dëshiron të qëndrojë te kampionët e Feyenoord edhe sezonin e ardhshëm.
Slot, së bashku me agjenten e tij, Rafaela Pimenta, u takuan me shefat e Feyenoord të mërkurën për bisedime vendimtare në lidhje me të ardhmen e tij dhe klubi i "Eredivise" i ka ofruar një kontratë të re me vlerë mbi 2.5 milionë paund në vit.
“Kam dëgjuar shumë thashetheme rreth interesimit të klubeve të tjera për mua. Edhe pse jam mirënjohës, dëshira ime është të qëndroj në Feynoord dhe të vazhdoj të punoj për atë që krijuam vitin e kaluar”, tha ai.
“Takimi i djeshëm ishte ekskluzivisht për zgjatje. Të gjitha bisedimet me klubin kanë qenë gjithmonë me mirëkuptim të plotë. Unë jam duke pritur për sezonin e ardhshëm me Feyenoord”, shtoi ai.
Slot ka një klauzolë lirimi prej 5 milionë paund në kontratën e tij me Feyenoord, megjithëse nuk mund të aktivizohet, deri në verën e ardhshme.
Sipas De Telegraaf, kampionët holandezë po kërkonin rreth 20 milionë euro si kompensim nga Spurs për të marrë menaxherin e tyre dhe tre anëtarë të ekipit të tij, ndihmësit Marino Pusic, Sipke Hulshoff dhe trajnerin e performancës Ruben Peeters. (A2 Televizion)