Ishte mëngjesi i 12 qershorit të vitit 1999 në Kosovë. Kjo datë do të mbahet mend gjatë dhe do të shënohet në librat e historisë pasi shënon triumfin ndaj agresorit serb dhe natyrisht çlirimin e vendit. Asokohe sulmet ajrore të NATO-s pushuan, për t’i mundësuar këmbësorisë hyrjen në Kosovë, që më pas do të largonin forcat serbe nga aty.
Qindra mijëra shqiptarë të Kosovës do të ktheheshin në shtëpitë e tyre pas vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në atë kohë, Javier Solana, që dërgoi 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Falënderimi i refugjatëve të kthyer në atdhe, për forcat paqeruajtëse, ishte tepër prekës.
21 vjet më parë forcat e NATO-s hyjnë në Kosovë, një datë e paharrueshme
Sot Kosova feston 21 vjetorin e Çlirimit. Trupat paqeruajtëse të KFOR-IT janë ende prezente në territorin e Kosovës edhe pse tashmë misioni i tyre është zvogëluar ndjeshëm në numër, pasi Kosova ka konsoliduar institucionet shtetërore, policinë dhe madje ushtrinë.
Integriteti territorial është i garantuar me shpalljen e pavarësisë në 17 shkurt të 2008-ës, të njohur nga mbi 100 shtete të botës. E vetmja pjesëz e këtij mozaiku të suksesshëm është përmbyllja e dialogut me Serbinë me një marrëveshje në të cilën të arrihet njohja reciproke. (A2 Televizion)