
Udhëheqja e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë po kthehet në një mollë sherri mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit, Avdullah Hoti.
Kreu i Shtetit pretendon se është detyrë e tij që ta përfaqësojë vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Të njëjtin pohim pati edhe i pari i qeverisë, por Thaçi nënvizon se këtë të drejtë ia përcakton kushtetuta e Kosovës.
“Presidenti i vendit e përfaqëson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar gjithçka është e përcaktuar me Kushtetutën dhe asnjë organ nuk qëndron mbi Kushtetutën. Autoritetet dhe kompetencat janë të qarta dhe të pastra si loti”, tha Thaçi.
Kreu i Shtetit komentoi dhe vizitën e mundshme të përfaqësuesit të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për të cilën tha se zyra e presidentit nuk është informuar ende. Thaçi shtoi se pasi të shikohen prioritetet e kësaj vizite do të dalin me një qëndrim zyrtar.
Gjithashtu presidenti vlerësoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në gjetjen e një zgjidhjeje për dialogun duke nënvizuar se është koha për marrëveshje.
“Ne kemi besim të plotë në qasjen e SHBA-së që ka qenë prej vendeve që ka kontribuar për liri dhe pavarësinë e Kosovës dhe në proceset e ardhshme dhe besoj që lidershipi i presidentit të SHBA-së, Trump dhe dinamika, energjia e ambasadorit Grenell do jenë efektive dhe do shënojnë rezultate konkrete. Nuk është koha më për matje të pulseve apo trajtime seminarike të çështjes së të Kosovës për njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë por është për vendimmarrje historike që sjell rezultat konkret”, vijoi Thaçi.
Presidenti i Kosovës përsëriti thirrjen ndaj qeverisë dhe opozitës për unitet dhe bashkëpunim sa i përket çështjes së dialogut. Thaçi këto komente i bëri pas homazheve te shtatorja e Zahir Pajazitit në sheshin “Nënë Tereza”, me rastin e 21-vjetorit të çlirimit të Prishtinës. (A2 Televizion)