
Presidenti Hashim Thaçi ka bërë homazhe pranë memorialit të ushtarëve të KFOR-it të rënë në Kosovë në vitin 1999.
Kreu i shtetit tha se nuk ka pasur asnjëherë dilemë në mbështetjen e SHBA-së dhe kërkoi më shumë përgjegjshmëri nga institucionet e vendit në raportet me miqtë ndërkombëtarë.
Gjithashtu, ai theksoi se Serbia nuk ka më asnjë pretekst për të vonuar rinisjen e dialogut, pasi të gjitha pengesat janë hequr nga Kosova.
“Besoj në zotimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që do të ndërmarrin hapat e duhur në veçanti pas heqjes së të gjitha barrierave që e pengonin fillimin e dialogut Kosovë-Serbi nga ana e qeverisë së Kosovës, tash Serbia nuk e ka asnjë pretekst, përkundrazi çdo vonesë i atribuohet asaj. Roli i presidentit të vendit është ai që ka qenë gjithmonë, presidenti i vendit përfaqëson vendin brenda dhe jashtë, dhe ai që e lexon Kushtetutën dhe e di këtë rol shumë qartë, përgjegjësia dhe hierarkia institucionale e Kosovës është e qartë mbi çdo aspiratë, ego apo injorancë”, tha Thaçi. (A2 Televizion)