
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, tha se shqiptarët po luajnë një rol akoma më të madh në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në një situatë tepër kritike për të gjithë botën, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
Në një mesazh me rastin e 67-vjetorit të krijmit të organizatës, Xhaçka tha në mesazhin e saj se Shqipëria është një vend që beson te roli i jashtëzakonshëm i OKB-së dhe që është e përkushtuar ndaj ruajtjes dhe forcimit të sistemit ndërkombëtar të bazuar tek rregullat.
“E kemi treguar këtë duke ju bashkuar e duke punuar seriozisht për nismat, objektivat e agjendat e OKB-së, por edhe duke mbështetur, jo vetëm politikisht, përpjekjet paqeruajtëse të OKB-së, duke ndihmuar me trupa, vëzhgues ushtarakë dhe policorë, si edhe fonde në buxhetin e posaçëm të operacioneve paqeruajtëse.
Ne jemi krenarë, që sot, vendi ynë mund të luajë një rol akoma më të madh në këtë drejtim gjatë mandatit të tij dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit. Dhe jemi krenarë që po e luajmë këtë rol në një moment kur ky rend ndërkombëtar që ka garantuar paqen e sigurinë është nën kërcënimin më serioz që ai ka njohur që prej krijimit të OKB-së si pasojë e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës”, tha Xhaçka.
“Shqipëria ka marrë një rol të dorës së parë në përpjekjet e mbështetura nga shumica dërrmuese e vendeve të globit për t’i dhënë fund këtij agresioni e për të izoluar agresorin, jo thjesht sepse ne besojmë që kjo është gjëja e duhur për të bërë dhe që Ukraina meriton të gjithë mbështetjen tonë. Por edhe pse ne besojmë, që përmes kësaj mbështetje ne jemi duke kontribuar krah aleatëve e partnerëve dhe pjesës dërrmuese të vendeve anëtare, për të ruajtur e konsoliduar rendin ndërkombëtar dhe rolin primar që OKB-ja ka në garantimin e paqes, sigurisë e stabilitetit.
Prandaj, ky përvjetor këtë vit merr një rëndësi akoma më të madhe. Sepse sot më shumë se kurrë kombet duhet t’i qëndrojnë fort mbrojtjes së parimeve dhe vlerave të Kombeve të Bashkuara dhe të multilateralizmit, sepse kështu do të mund të sigurojmë të ardhmen dhe prosperitetin e brezave që do të vijnë”. (A2 Televizion)