
Dukej një ditë e zezë për bardhëzinjtë e Juventusit. Rivalët historikë të Interit pak minuta para ndeshjes ishin shpallur zyrtarisht kampionë për të 19-ën herë, ndërkohë që në minutën e 8-të bardhëzinjtë më modestë të Udinezes kalonin në avantazh me anë të Molina. Juventus, për herë të parë në dekadën e fundit, rrezikonte seriozisht të mbetej jashtë Champions League të sezonit të ardhshëm.
Por gjithçka mund të ndryshojë, kur ke nga ana jote Cristiano Ronaldo. Portugezi përmbysi gjithçka në 10 minutat e fundit të ndeshjes, një dygolësh në minutat e 83 dhe 89 që sjellin Juventusin në vendin e dytë së bashku me Milanin dhe Atalantën.
Goli i barazimit erdhi nga një penallti, ndërkohë që fitorja në frymën e fundit nga një shkëputje grabitqare, ku portieri i Udineses ka shumë falje për të kërkuar.
Me fituesen dhe çështjen e rënies nga kategoria pothuajse të zgjidhur, lufta për Champions bëhet motivi i vetëm i interesit në Serie A, ku janë 5 ekipe. Juventus, Atalanta, Milan, Napoli dhe Lazio me një ndeshje më pak, që luftojnë për tre vende. (A2 Televizion)