
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se djegia e mandateve ka qenë vendim shumë i vështirë, por nëse do të ktheheshin pas, ndoshta do të votohej sërish për largimin nga Parlamenti.
“Shqipëria kishte nevojë për sensibilizim për atë që po ndodhte. Në Parlament na u mohua e drejta e fjalës dhe qytetarët na thonin “pse rrini në Parlament kur nuk keni të drejtë fjale”? Po të ktheheshim pas, ndoshta sërish Kryesia do të votonte për largimin nga Parlamenti. Ishte vendim i rëndësishëm, pasi morëm mandatet nga ata që na votuan për të qenë në Parlament dhe nuk ishte e lehtë t’i dorëzoje. Nuk ka ndodhur askund tjetër kjo gjë. Por, ia vlejti që njerëzit të kuptonin se në duart e kujt kishte rënë Shqipëria. Kur unë si deputete nuk kam të drejtë fjale, jam fasadë e Edi Ramës”, tha Vokshi.
Në lidhje me punën e SPAK, Vokshi pati kritika: “Nëse SPAK-u do të kishte vepruar në shumë raste më parë, ndoshta nuk do të kishim më 25 prill në atë nivel të masakrës elektorale. Armela Krasniqi duhet të ishte hetuar nga SPAK dhe sot nuk do ta kishim në krye të AMA-s. Nëse hetoheshin më parë krimet elektorale, nuk do të kishim masakrën zgjedhore”. (A2 Televizion)