
Analisti Dritan Shano pohoi në “Absolut 4” se parlamenti ka bërë nga fillimi deri në fund, atë që ka dashur. Sipas tij, vendimi për daljen e opozitës nga Kuvendi ishtë një vendim unanim por që nuk rezultoi i suksesshëm sepse këputja me mandatet ndodhi, por nuk ndodhi me aktorët dhe me mënyrën e të bërit politikë.
“Ky parlament bëri atë që i deshi qejfi mazhorancës, nga dita e parë deri ditën e fundit, pavarësisht se çfarë ndodhi në midis. Ai filloi si parlament guerrilësh, vazhdoi mandej si një parlament me personazhe nga komeditë e Molierit dhe arriti derisa të shkarkojë kryetarin e shtetit.
Opozita doli nga Parlamenti. Unë jam një nga njerëzit që kam mbështetur daljen e opozitës nga Parlamenti. Atje brenda Basha kishte të drejtë kur tha pati një vendim unanim. Tentativa për ta këputur atë sjellje violente të mazhorancës nuk rezultoi e suksesshme sepse këputja me mandatet ndodhi, por nuk ndodhi me aktorët, me mënyrën e të bërit politikë që është sot e kësaj dite po e njëjta. Ky parlament demonstroi edhe papërgjegjshmërinë totale ndaj qytetarit në hartimin e listës sa i përket cilësisë së përfaqësimit që duhet çuar në Parlament nga partitë politike.”, u shpreh Shano. (A2 Televizion)