Rithemelimi shënoi hapat e fundit drejt riorganizimit të forumeve drejtuese të Partise Demokratike, me zgjedhjen e anëtarëve të kryesisë së PD, duke i përfunduar edhe mandati drejtues që kishte prej 6 muajsh.

Kjo ishte lista me të cilën anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD iu drejtuan kutisë së votimit ku me votë të fshehtë përzgjodhen 20 anëtarë të kryesisë.
Pasi përfundimit të votimit, nisi numërimi i 227 votave në selinë blu ku me anë të një ekrani çdo votë lexohej para mediave.
Rezultati u bë publik nga Abana Vokshi, kryetare e komisionit zgjedhor PD, ku më i votuari ishte Belind Këlliçi me 192, i ndjekur nga Flamur Noka me 166 e Oerd Bylykbashi me 148, teksa në radhët e grave më e votuara ishte Fatbardha Kadiu, e ndjekur nga Ina Zhupa e më pas Jozefina Topalli.
Edhe pse ishin anëtarë të rithemelimit emrat si Genc Pollo, Arben Ristani, Edmond Spaho nuk rezultuan fitues, teksa edhe i rikthyeri në PD Arben Imami nuk u bë pjesë e kryesisë.
Dy nënkryetarët e PD dhe sekretari përgjithshëm e sekretariatet do të zgjidhen në vijim nga Këshilli Kombëtar, ndërkohë që kryetari i PD Sali Berisha, Edi Paloka, kryetari i Këshillit Kombëtar si dhe drejtuesit e Forumit Rinor dhe Lidhjes Demokratike të gruas sipas statutit janë automatikisht pjesë e kryesisë. (A2 Televizion)