“Do të fshihet nga faqja e dheut kush luan me pluralizmin”, Berisha: Koha është e misionarëve që qëndrojnë në këmbë

Nga A2 CNN
3 Mars 2023, 13:54 | Politikë
“Do të fshihet nga faqja e dheut kush luan me pluralizmin”,

Mbizotëroi fjala bashkim në fjalimin 22-minutësh të kreut demokrat, Sali Berisha, në protestën kombëtare të opozitës. Kreu demokrat u bëri thirirje për bashkim të gjithë qytetarëve dhe punonjësve të administratës për të shpëtuar Shqipërinë.

“Një thirrje vëllazërore do u drejtoj sot të gjithë atyre që i shohin forcat politike me mosbesim, që janë të dëshpëruar, që janë të zhgënjyer dhe vazhdojnë rrugën në vetminë e tyre. Unë u them se keni shumë arsye për të qenë të dëshpëruar dhe zhgënjyer, por kurrë nuk mund të keni arsye për të qenë indiferentë. Nuk ka gjë më vrastare për të ardhmen se indiferenca! E keqja nuk kërkon gjë tjetër për të triumfuar veç indiferencës së njerëzve të mirë si ju. Një thirrje u bëj të gjithë punonjësve të administratës shtetërore, mos harroni se në ligj dhe moral, ju nuk jeni badigardë, as shërbëtorë të një organizate kriminale që kryesohet nga Edi Rama, por jeni shërbëtorë të qytetarëve. Sot ju përjetoni një terror digjital dhe të gjithanshëm. Bashkohuni me ne në këtë revolucion të përmbysim këtë organizatë kriminale. Të shpëtojmë Shqipërinë prej saj”.

Berisha theksoi se kushdo që do të luajë me pluralizmin dhe demokracinë do të fshihet nga faqja e dheut. Ai tha se është koha e misionarëve që qëndrojnë në këmbë.

“Do të fshihet nga faqja e dheut cilindo që guxon të luajë me pluralizmin në Shqipëri dhe lirinë e shqiptarëve. Koha është e misionarëve e djemve dhe vajzave, të rinjve e të rejave, burrave e grave që qëndrojnë në këmbë. Historinë e keni pasur të keqe me pushtime, dhimbje, vuajtje, por nuk jemi nënshtruar kurrë. Të bashkohemi, të bashkohemi, të bashkohemi. Historia na mëson se sa herë shqiptarët janë bashkuar kanë bërë mrekullitë e tyre dhe ta shndërrojmë vitin 2023 në vitin e mrekullisë së shqiptarëve”.

Sipas tij, revolucioni nuk është i Sali Berishës, por ka qëllim madhor t’i japë goditje përfundimtare varfërisë.

“Revolucioni nuk është i Sali Berishës, është i çdo shqiptari që e do Shqipërinë. Revolucioni ynë ka për qëllim madhor t’i japë goditje përfundimtare varfërisë. Ne e konsiderojmë varfërinë nënën e të këqijave që ka sjellë Edi Rama. Varfëria luftohet duke dyfishuar rrogat, pensionet, duke përgjysmuar taksat, duke përgjysmuar çmimin e energjisë. Varfëria luftohet duke investuar në infrastrukturë për ju, shkolla, spitale, duke krijuar pra kushtet që ju meritoni. Varfëria luftohet duke luftuar krimin e organizuar, korrupsionin me zero tolerancë. Ne do dalim fitimtarë nga kjo betejë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos