Këlliçi: Me transportin publik falas, do t’i kursejmë një familjeje normale 52 mijë lekë në muaj

Nga A2 CNN
11 Maj 2023, 20:28 | Politikë
Këlliçi: Me transportin publik falas, do t’i kursejmë

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, në një rrëfim ndryshe në “Debat” nga Alba Alishani në A2CNN, foli në lidhje me premtimin e tij për transport publik falas për 4-vjeçarin e parë në krye të këtij institucioni.

Sipas Këlliçit, synimi i tij kryesor ka qenë ulja e kostove të jetesës së qytetarëve të kryeqytetit, duke pasur parasysh se shërbimi urban është një shërbim që përdoret nga rreth 200 mijë qytetarë në ditë.

Ai u shpreh më tej se për momentin ka nevojë vetëm për modernizim të këtij sektori, pasi kapacitetet janë brenda nevojave, ndërsa shtoi se, me bërjen falas të këtij shërbimi, qytetarëve të Tiranës do t’i kursejë minimalisht 52 mijë lekë në muaj.

A është në realitet një premtim populist apo është një premtim praktikisht i realizueshëm siç thoni ju, ai i transportit publik falas?

Duke qenë se po të thosha se unë e kam pasur në synimin tim kryesor uljen e kostove të jetesës së qytetarëve, unë jam fokusuar te një praktikë dhe një logjikë e thjeshtë: Si mund të marrim para nga buxheti i Bashkisë së Tiranës dhe t’i kthejmë në një shërbim për sa më shumë qytetarë. Dhe më rezultoi që autobusi, transporti publik përdoret nga pothuaj 200 mijë qytetarë çdo ditë dhe më rezultoi që pjesa dërrmuese e qytetarëve që e përdorin këtë shërbim janë familje në nevojë, familje në vështirësi ekonomike, pensionistë, studentë, qytetarë të zakonshëm të Tiranës, që i rëndon xhepin, jo vetëm ai 400 lekëshi. Por, mos harrojmë diçka që ai 400 lekëshi është brenda vijës së verdhë, por shkon deri në 1200 lekë në Zall Bastar, 2 mijë lekë në Shëngjergj, 4 mijë lek në Mal-Vilëz.

Katër vite falas thoni ju, a vazhdoni të jeni të bindur në këtë premtim?

100 për qind i bindur dhe nuk i lëviz presjen në atë që kam thënë.

Por, çfarë ndodh në mandatin e dytë nëse ju do ta rifitoni?

Këtë do ta shohim se si do të funksionojë në mandatin e parë. Unë kam një paketë edhe investimi në modernizimin e flotës dhe stacioneve të autobusëve dhe sigurisht që unë dua ta bëj sa më atraktiv këtë shërbim. Në mënyrë që duke ndërtuar edhe disa parkingje të mëdha në hyrje të qytetit, ne të bëjmë të mundur që edhe ata qytetarë që vijnë në Tiranë për punët e tyre, të parkojnë makinat dhe të marrin urbanët. Më pas të rikthehen në parkingjet falas jashtë dhe të vijojnë rrugëtimin e tyre.

Për momentin a ka nevojë vetëm për modernizimin apo edhe shtim të kapaciteteve të flotës?

Për momentin ka nevojë vetëm për modernizim, sepse përsa i përket kapacitetet duket e mjaftueshme, por ajo do të shihet pastaj hap pas hapi. Kjo do të thotë që me 16.5 milion euro unë i shërbej 200 mijë qytetarëve në ditë dhe i ul koston një familjeje normale që përdor çdo ditë transportin publik me një shifër prej 52 mijë lekësh në muaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos