Qiratë e shtëpive në 5 vite, në Tiranë janë shtrenjtuar me mbi 14 mijë lekë, në bregdet me 94%

Nga A2 CNN
29 Gusht 2023, 15:34 | Ekonomi
Qiratë e shtëpive në 5 vite, në Tiranë janë

Qiraja e një apartamenti me përmasa 80 m2 në Tiranë është shtrenjtuar mesatarisht me 14 mijë e 240 lekë në muaj në 5 vitet e fundit. Një studim i kryer nga Banka e Shqipërisë mbi çmimet e qirave tregon se nga 38 mijë lekë në 2017-n, një student, familje apo një i huaj i punësuar në kryeqytet pagoi mesatarisht 52 mijë e 240 lekë vitin e shkuar.

“Kjo pasi ka pasur kërkesë. Rritja e kërkesës është shoqëruar me rritje të çmimeve të qirave për thuajse të gjitha kategoritë e apartamenteve dhe zonave në Tiranë”, tha Runila Kasmi, eksperte e tregut të pasurive të paluajtshme.

Edhe më shumë janë shtrenjtuar qiratë në zonat bregdetare. Nga rreth 20 mijë e 800 lekë në vitin 2017, qiraja mujore e një apartamenti me sipërfaqe 80 m2 në Velipojë, Shëngjin, Vlorë, Himarë Sarandë u rrit mesatarisht në 40 mijë e 375 lekë gjatë 2022-shit duke regjistruar kështu një shtrenjtim me 94 për qind.

“Numri i lartë i turistëve, veçanërisht vitet e fundit ka shtuar kërkesat për prona në vijën bregdetare të vendit”, tha Runila Kasmi, eksperte e tregut të pasurive të paluajtshme.

Sipas gjetjeve të Bankës së Shqipërisë, në qytete si Fieri, Elbasani, Shkodra, Korça, Dibra apo Tepelena, bashkë me zonat e tjera qendrore, qiratë janë shtrenjtuar me 8 mijë e 480 lekë apo rreth 34 për qind në 5 vitet e fundit.

 “Kërkesa vijon të jetë e lartë ngado, ndaj nuk pritet ndonjë frenim i çmimit të qirave për apartamentet në thuajse gjithë vendin”, tha Kasmi.

Për të analizuar ecurinë e rritjes së qirave në vend, Banka e Shqipërisë përpunoi çmimet e rreth 34 mijë apartamenteve të listuara në platformat “online” të qiradhënies. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos