“Rikthimi” i euros, forcimi mund të shkaktojë rritje çmimesh në treg

Nga A2 CNN
28 Gusht 2023, 16:30 | Ekonomi
“Rikthimi” i euros, forcimi mund të shkaktojë rritje

Forcimi i euros mund të sjellë një valë të re rritjesh të çmimeve në vendin tonë. Rritja e valutës europiane me 5 pikë më shumë krahasuar me një javë më parë, po mirëpritet nga eksportuesit, por nga ana tjetër, sipas ekspertëve, mund të përkthehet në çmime më të larta në produktet e importuara.

“Për eksportet është një sinjal pozitiv, nga ana tjetër importuesit shqiptarë kanë qenë të privilegjuar, por në shumë raste s’e reflektuan dobësimin e euros në uljen e çmimit të disa produkteve, do fillojnë dhe ata të shqetësohen.

Përfitimet nga kontrolli dhe ulja e inflacionit ishin të mëdha, një pjesë lidhej me dobësimin e euros, por dhe një pjesë me politikën monetare të rritjes së normës bazë të interesit për lekun nga Banka e Shqipërisë. Nëse euro do të vazhdojë të forcohet do të ketë elemente që do ndikojnë në inflacion sepse do rritet dhe inflacioni i importuar nga vendet e eurozonës, që ne kemi 70% të marrëdhënieve tregtare”, tha Adrian Civici, ekspert ekonomie.

Sipas Civicit, reflektimet e para mund të priten edhe në sektorin e pasurive të patundshme.

“Shqetësim nëse mund të prodhohet, ka të bëjë me pasuri të patundshme, pagesat apo blerjet e mëdha, riforcimi i euros do të thotë se çmimet bëhen më të larta krahasuar me disa muaj më parë”.

Por sa mund të luhatet euro në tregun valutor në muajt e ardhshëm?

“Faktorët që kanë ndikuar në këtë forcim janë edhe psikologjik, edhe si pasojë  e ndërhyrjeve në tregun monetar dhe mbarimin e sezonit turistik. Euro do të ketë një ekuilibër të ri, por jo të  kthehet shpejt deri në 120. Ekuilibri i ri pritet të jetë 105-110”.

Ekspertët e atribuojnë forcimin e shpejtë të euros me ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm. Ndërsa mbyllja e sezonit turistik mund të krijojë një situatë më të qëndrueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos