
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se pavarësisht borxhit të madh që kjo forcë politike i ka këtij qyteti, sërish qytetarët atje do të votojnë kandidatin Xhemal Bushati në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
“Shkodranët që nuk i gënjeu dot as Enver Hoxha, nuk i gënjen dot askush tjetër me asnjë marifet. Xhemal Bushati është kandidati i Partisë Demokratike. Dhe nga unë i pari, zotohem që këtë besim të madh të shkodranëve, këtë borxh të pashlyer, ta kthejmë në një politikë së pari me një fytyrë njerëzore, si fytyra, si shpirti i Xhemal Bushatit, me një fytyrë të pastër”, tha Basha.
“A doni një Shkodër me kryebashkiak të kontrolluar nga Edi Rama dhe Tom Doshi? Doni një kryebashkiak, i cili vendos në bashkinë e Shkodrës, modelin e Edi Ramës dhe Tom Doshit? A doni një kryebashkiak, i cili ta vendosë Shkodrën në funksion të agjendave personale dhe pazareve personale të Edi Ramës dhe Tom Doshit? Atëherë votoni partinë demokratike! Votoni Xhemal Bushatin! Shkodrës i duhet një kryebashkiak, jo me dashni për vete, por me dashni për Shkodrën dhe shkodranët”.
Në këto zgjedhje, kandidati i PD, Bushati, garon kundër kandidatit të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia, si dhe kandidates së Partisë Socialiste, Majlinda Angoni. (A2 Televizion)