
Menjëherë pas dorëheqjes së Ardi Veliut nga drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike. Përmes sekretari të përgjithshëm Gazment Bardhi, PD e cilëson largimin e tij të detyruar dhe thekson se sot ka një bandit më pak në Polici.
“Në krye të Policisë së Shtetit sot ka një bandit më pak. Ardi Veliu ka qenë çdo ditë në shërbim të grupeve kriminale dhe rrjeteve të caktuara të trafikut ndërkombëtar të drogës. Largimi i tij është i detyruar, pavarësisht rezistencës së gjatë të Edi Ramës”.
Sipas Bardhit, nën drejtimin e policisë nga Ardi Veliu, Shqipëria u rendit ndër vendet kryesore për trafikimin e drogave nga kokaina tek kanabisi, duke e futur në listën e zezë të pastrimit të parave të pista.
“Departamenti i Shtetit e futi Shqipërinë ne listën e vendeve kryesore për pastrimin e parave të pista. Të drejtat dhe liritë e qytetarëve u përkeqësuan, duke kulmuar me vrasje në rrugë të të rinjve dhe me rrahje të minorenëve. Dhuna e ushtruar ndaj opozitës ishte e paprecedentë. Policia u përdor në zgjedhje, krah përkrah banditëve, për të blerë vota për partinë në pushtet”.
Ai shton se Ardi Veliu largohet me turp nga ky dikaster, por thekson se kjo histori do të përsëritet nëse nuk largohet Edi Rama, që sipas tij është në partneritet me krimin.
“Ardi Veliu nuk është as i pari, as i fundit drejtor policie që gjatë këtyre 8 viteve largohet me turp, duke i shkaktuar dëme të mëdha vendit dhe qytetarëve. Kjo histori do të përsëritet përsa kohë shefi i ardivelinjve, Edi Rama, të jetë partneri kryesor i krimit të organizuar. Pa largimin e Edi Ramës, nuk ka për të patur kurrë luftë serioze ndaj krimit, policët e ndershëm do të vazhdojnë të ndihen të tradhtuar dhe të demotivuar, si dhe ngjarjet e rënda kriminale do të vijojnë të trondisin qytetet tona”. (A2 Televizion)