
Analisti i A2, Afrim Krasniqi, ka komentuar deklaratën e kryeministrit, Edi Rama lidhur me vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha si dhe dorëheqjen e ministrit, Sandër Lleshaj.
Sipas Krasniqit, Lleshaj ka qenë gjithmonë i huaj për Partinë Socialiste, dhe dorëheqja e tij është më së shumti një vendim taktik për të shuar presionin dhe për të fituar kohë, sesa një akt politik që do ketë një domethënie të madhe
“Rasti i fundit ishte tragjik. Reagimi i kryeministrit ishte reagimi i një kryeministri në prag fushate elektorale. Ishte fjalim politik, i adresohej jo qytetarëve sot, por qytetarëve pas disa muajsh kur do shkojnë në fushatë elektorale. Ai ndodhet në një presion të brendshëm, jo vetëm brenda asaj që quhet sfera e marrëdhënieve midis kryeministrit dhe qytetarëve të pakënaqur ndaj tij, por dhe me presionin e brendshëm nëse do të sakrifikojë një ministër të qeverisë, të sulmuar në mënyrë të vazhdueshme nga opozita dhe grupet e shoqërisë civile por që nuk përfaqëson praktikisht një simbol për Partinë Socialiste. Zoti Lleshaj ka qenë gjithmonë i huaj për Partinë Socialiste. Në këtë këndvështrim dorëheqja e tij është një vendim taktik për të shuar presionin nga grupe të caktuara dhe për të fituar kohë, sesa një akt politik që do ketë një domethënie të madhe. “, u shpreh Krasniqi. (A2 Televizion)