
Për hir të favorizimit të biznesmenëve të inceneratorëve, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, SPAK pretendon se ish-zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, i ka bërë presion zyrtarëve të Agjencisë së Koncesioneve. Ekziston dyshimi i arsyeshëm, thotë SPAK, se sjellja e Ahmetajt ndaj dy biznesmenëve është shoqëruar me kontakte të drejtpërdrejta me funksionarë më të ulët të përfshirë në procedurat koncesionare, ku vetë apo përmes vartësve, ka ushtruar presion, duke kërkuar realizimin me sukses të procedurave, pavarësisht mangësive që paraqisnin.
Gjatë hetimit prokurorët e SPAK kanë administruar deklarimin e një prej anëtarëve të komisionit për zhvillimin e procedurës koncesionare të Tiranës. Punonjësja, identiteti i së cilës nuk publikohet për shkak të sekretit hetimor, ka pohuar se kur ka qenë pjesë e procedurës koncesionare në lidhje me një ndërtim vendgrumbullimi mbetjesh në Durrës, si anëtare komisioni, është thirrur në zyrë nga ministri i Financave i kohës, Arben Ahmetaj.
Sipas deklarimit të saj, thirrja i është bërë nga një këshilltar i ministrit. Sipas dosjes së SPAK, ajo ka dorëzuar telefonin në paradhomë e më pas është takuar me Ahmetajn në prani të këshilltarit të tij. Funksionarja ka thënë se Ahmetaj i ka kërkuar që ta shikonte dhe vlerësonte me pozitivitet procedurën e Durrësit.
Punonjësja në fjalë, thuhet në dosjen e prokurorisë, këtë takim e ka vlerësuar si formë presioni, pasi titullar të drejtpërdrejtë ajo kishte kryetarin e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve. Sipas SPAK, ndonëse të tre procedurat koncesionare të inceneratorëve kanë rezultuar me probleme të theksuara dhe kanë sjellë dëm në buxhetin e shtetit, ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, jo vetëm nuk është bërë pengues, por edhe është shpërblyer për çdo miratim të dhënë prej tij. (A2 Televizion)