
Dozat përforcuese të vaksinës mund të nevojiten çdo 6 muaj, për disa vite të tjera. Kështu mendon menaxheri i Pfizer në Mbretërinë e Bashkuar, Ben Osborn.
Sa i përket variantit Omicron, ai tha: “Po presim për të dhëna të tjera nga e gjithë bota. Duhet të kuptojmë 3 gjëra: nivelin e transmetimit të tij, ndikimin e tij në shtrimet spitalore dhe vdekjet, dhe ndikimin që do të ketë te vaksinat që kemi”.
“Nëse do të kemi nevojë për një vaksinë të re, do të nisim punën për prodhimin e saj. Ndërkohë, e rëndësishme është që po bëjmë dozat përforcuese për të gjithë të rriturit, në mënyrë që të rrisim sa më shumë imunitetin e popullatës”, shtoi Osborn.
Kur u pyet se për sa kohë njerëzit do të kenë nevojë për doza përforcuese të vaksinës, menaxheri i Pfizer në Mbretërinë e Bashkuar u përgjigj: “E vështirë të thuhet, pasi askush nuk e parashikon dot se si do të ndryshojë virusi përgjatë viteve. Por, mendoj se dozat përforcuese, do të duhen për disa vite të tjera. Ajo që nuk dimë është nëse këto doza do të bëhen çdo 6 muaj apo çdo një vit”. (A2 Televizion)