Drafti i Ramës për asociacionin, Konjufca: Ka elemente që përmbajnë autonomi territoriale për serbët

Nga A2 CNN
6 Korrik 2023, 21:26 | Kosova
Drafti i Ramës për asociacionin, Konjufca: Ka elemente që

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar në lidhje me draftin e kryeministrit Edi Rama, i cili u është dorëzuar kancelarive kryesore europiane.

Sipas Konjufcës, ky draft ka elementë që përmbajnë autonomi territoriale për serbët në Kosovë.

“Ai ka ndarë elemente të Asociacionit, mirëpo ai pretendon që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, mirëpo mua më është dukur se në elemente të caktuara të propozimit të Ramës përmbajnë autonomi territoriale për serbët e Kosovës. Kjo është në kundërshtim me interesin e kombit shqiptar dhe popullit të Kosovës”, deklaroi Konjufca, i cili shpjegon se detajet e draftit ia bëri të qarta vetë kryeministri shqiptar.

Konjufca gjithashtu akuzoi Tiranën zyrtare edhe sa i përket pozicionimit të shkëmbimit të territoreve.

“Republika e Shqipërisë ishte zyrtarisht në anën e opsionit të shkëmbimit territorial me Serbinë dhe mendoj se kjo e ka dëmtuar Republikën e Kosovës. Mendoj se e ka dëmtuar Kosovën edhe ideja e Ballkanit të Hapur, sepse ky është dallim nga ajo që ka nevojë Kosova. Dhe tani është edhe e treta ku ne jemi në të drejtën tonë dhe nuk po na kupton Republika e Shqipërisë. Mendoj se me këto pozicione Kosova mund vetëm të dëmtohet”, theksoi kryetari i Kuvendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos