Drama e nënës 37-vjeçare, e sëmurë dhe e braktisur me dy vajza të mitura

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2021, 10:51 | Sociale
Drama e nënës 37-vjeçare, e sëmurë dhe e braktisur me

Janë të vështira kushtet e banesës ku jeton Fatbardha Gaçe nga Elbasani, nënë e dy fëmijëve, e braktisur nga bashkëshorti në momentin më të vështirë të saj, gjatë kohës kur ishte e shtruar në spital nga një sëmundje e rëndë.

Prej disa muajsh, 37-vjeçarja, përpiqet të mbijetojë dhe të mbajë sadopak dy vajzat e mitura, vetëm me pagesën e kempit prej 10 mijë lekësh në muaj. Ndërsa bashkëshorti që nga momenti i braktisjes nuk është bërë më i gjallë.

E gjendur në qiell të hapur dhe me dy vajza të mitura, Fatbardha për momentin është strehuar tek e motra, e cila gjithashtu ka kushte minimale, por gjithsesi i ka siguruar një çati mbi kokë.

Nuk kam asnjë të ardhur. Nuk i plotësoj asnjëherë kushtet fëmijëve, as për t’i veshur. Edhe kërkesa që ka bërë në Bashkinë e Elbasanit, deri më tani nuk ka marrë përgjigje, “më thonë, por në janar, nuk di”.  

Në këto kushte, e vetmja gjë që dëshiron Fatbardha, më shumë se sa jeta e saj, është një strehë për vajzat e mitura. Ndërsa vajza më e rritur kërkon vetëm një dhuratë për motrën më të vogël.

Dhe me shpresën që pamundësia e kësaj nëne të sëmurë të zgjojë sadopak humanizmin te njerëzit dhe te pushteti lokal, Fatbardha lutet, si e vetmja gjë që nuk i kërkon shpenzime të tjera dhe nuk i kushtëzon bukën e vajzave të saj. “Lus Zotin që t’i fusë kalamajtë në shtëpi, se unë për vete e di në çfarë gjendje jam",  tregon ajo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos