Një tjetër fenomen negativ po “hedh rrënjë” në vend. Braktisja e fëmijëve të mitur po kthehet në një shqetësim që po avancon me ritme të shpejta.
Vetëm në 10 muajt e parë të vitit, të dhënat nga Ministria e Brendshme tregojnë se u proceduan penalisht 42 prindër nga 38 në po të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rritje me 10.5 për qind.

“10% të këtyre fëmijëve janë në ato institucione sepse familjarët e kanë totalisht të pamundur t’i mbajnë dhe t’i sigurojnë shkollimin dhe shërbimin shëndetësor”, thotë Edlira Ngjela e Save the Children Albania.
Pandemia Covid-19, e cila solli më shumë varfëri, thelloi edhe më tej këtë hendek duke ndikuar në braktisjen e fëmijëve të mitur.

“Pandemia e ka bërë edhe më të vështirë jetën e këtyre familjeve, që shpesh herë sigurojnë jetën e tyre nga pune e përditshme”, shton Ngjela.
Aktualisht në institucionet publike të përkujdesje gjenden 232 fëmijë jetim, ndërsa shifrat zyrtare të raportuara nga organizata jo-qeveritare sugjerojnë se shifra është së paku 10 herë më e lartë. (A2 Televizion)