
Për të pestën herë brenda një dekade, Shqipëria do i drejtohet tregjeve ndërkombëtare për të marrë një Eurobond.
Ndonëse operacioni ishte planifikuar fillimisht për një vlerë prej 500 milionë eurosh, me synimin për t’u emetuar në fillim të vitit të ardhshëm, kriza energjetike duket se ka ndikuar në afrimin e planeve.
Qeveria do të dalë në tregun ndërkombëtar për të emetuar eurobondin gjatë javëve të vijim dhe e ka rritur vlerën e tij në 700 milionë euro.
Për ekspertin e ekonomisë, Ermal Telha, dalja në tregjet ndërkombëtare në një kohë kur stuhia e krizës ka prekur thuajse gjithë Europën, mund të shoqërohet me interesa të larta.
Sipas Ministrisë së Financave, eurobondi me vlerë 700 milionë euro do të përdoret si mbështetje buxhetore. Kjo do të thotë se mund të jetë shkojë për çdo zë, përfshirë edhe sigurimin e importit të energjisë. Marrja e eurobondit pritet të thellojë më tej borxhin publik.
Prej vitit 2010, Shqipëria ka emetuar katër Eurobonde me vlerë totale 1.9 miliardë euro. Deri më tani janë shlyer dy prej tyre, ndërsa pritet që një pjesë e Eurobondit të ri të përdoret për shlyerjen e detyrimeve më të vjetra. (A2 Televizion)