Nën masa të rrepta sigurie kanë mbërritur në Gjykatën e Elbasanit 31 të ndaluarit e dy ditëve më parë në operacionin “First Day”.
A2 CNN raporton se për 25 prej tyre do ketë rivlerësim të masës së sigurisë, për shkak se mëngjesin e së hënës u ekzekutuan 25 masa sigurie “Arrest me burg”, ndërsa për 6 të arrestuarit në flagrancë jepet sot masa e sigurisë.
Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, policia e Elbasanit ndërmori një megaoperacion të gjerë kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në ambientet shkollore dhe përreth saj.
Pas më shumë se një viti hetimesh, prokuroria firmosi 39 masa arresti, pjesa më e madhe e të cilave u ekzekutuan që në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, e të tjerët u shpallën në kërkim.
Në operacion morën pjesë një numër i lartë agjentësh, të mbështetur edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Në pranga mësohet se kanë rënë jo vetëm shpërndarës, por edhe persona të dyshuar si organizatorë të grupeve kriminale, disa prej të cilëve me precedentë të mëparshëm penalë.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar armë zjarri, si 3 kallashnikovë dhe pistoleta, lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, si dhe celularë e pajisje elektronike që dyshohet se përdoreshin për komunikim të koduar mes anëtarëve të grupeve.
(A2 Televizion)