
Qeveria ka depozituar në Kuvend projektligjin ku parashikon marrjen e një huaje prej 70 milionë eurosh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për mbështetjen financiare për OSHEE.
Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe BERZH-it, për reagimin ndaj krizës së pandemisë COVID-19.
Ky financim synon rritjen e performancës së OSHEE-së, duke i mundësuar shoqërisë likuiditet të nevojshëm me anë të mbështetjes nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me një kredi prej 70 milionë eurosh, me kusht që të ketë garancinë e Republikës së Shqipërisë.
Nëpërmjet marrëveshjes së garancisë se nënshkruar dhe që synohet të ratifikohet me anë të këtij projektligji, Republika e Shqipërisë garanton të gjitha detyrimet që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike merr përsipër nëpërmjet marrëveshjes së huas që lidhet ndërmjet BERZH-it.
Në lidhje me lëshimin e kësaj garancie është lidhur, gjithashtu edhe marrëveshja e mirëkuptimit, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe OSHEE-së, në përputhje me kuadrin ligjor që rregullon huamarrjen, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas.
Ky financim përbën një detyrim të drejtpërdrejtë për OSHEE, kundrejt BERZH-it dhe, në rast të pamundësisë për të shlyer detyrimet nga OSHEE-ja, detyrimet e kredisë paguhen nga buxheti i shtetit, mbështetur në marrëveshjen e garancisë. (A2 Televizion)