
Shumë të rinj e të reja shqiptare largohen nga vendi çdo ditë. Më shumë sesa mungesa e punës, është mungesa e shpresës që i shtyn ata drejt emigrimit, fenomen i cili po i kushton shtrenjtë vendit.
“Një i ri në moshën time ikën nga Shqipëria për arsyen se nuk ka vende pune, një; nuk ka të ardhme, nuk ka asnjë gjë për të qëndruar shqiptari në Shqipëri”, kështu shprehet Arditi 26 vjeçar për kameran e A2 CNN ndërsa u pyet përse kishte zgjedhur të largohej nga vendi.
Por Arditi nuk po ikën vetëm. Atë e shoqëron, e fejuara e ashtu çift ata shpresojnë të vijojnë jetën në Gjermani.
Ervini nga Pogradeci është një tjetër i ri që largohet drejt Gjermanisë, “për të provuar” fatin siç thotë vetë ai. Ashtu si Arditi, edhe ai shoqërohet nga e fejuara.
Lulzim Sali, 26 vjeç prej gati tre vitesh është larguar drejt Gjermanisë. Ai nuk është kthyer për të qëndruar, por tashmë mund të marrë edhe familjen e tij me vete.
(A2 Televizion)