
Legjislacioni shqiptar parashikon kompensim financiar për personat e burgosur me pa të drejtë. Por në aktualitetin e gjyqësorit në vend, me gjykata të boshatisura nga gjyqtarët, ky proces nuk duket i lehtë.
Nëntorin e 2016-ës, tifozët ishin përgatitur të ndiznin stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër për sfidën e kombëtares kuqezi ndaj Izraelit, por ndeshja u zhvendos në një tjetër stadium nga frika e sulmeve terroriste.
Ato ditë, Medat Hasani u burgos me dyshimin se ishte pjesw e një celule ekstremiste, që do të kryente sulm terrorist në këtë ndeshje futbolli. Ndodhi që pas tri vitesh hetim, i nisur nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda dhe përfunduar nga SPAK, akuzat për terrorizëm nuk u provuan dhe çështja u pushua. Por qëndrimi 1 vit në paraburgim dhe 2 vite në “arrest shtëpie” i dha Hasanit të drejtën për dëmshpërblim me 1,8 milionë lekë në Administrativen e Tiranës. Por çështja mbeti pezull në Apel bashkë me paratë. Pasi priti dy vjet për një datë gjyqi, Hasani kërkoi në Gjykatë të Lartë të drejtën për shqyrtim të çështjes brenda një afati të arsyeshëm. Kërkesa ju rrëzua me argumentin se nuk po abuzonte gjyqtarja e çështjes.
“Gjyqtarja relatore ka deklaruar se çështja nuk është gjykuar jo për shkak të mungesës së vullnetit, por për shkak të ngarkesës së jashtëzakonshme me çështje. Gjyqtarja ka deklaruar se ndodhet në gjykimin e çështjeve të regjistruara në shtator të vitit 2016. Gjyqtarja ka në ngarkim të saj 4500 dosje dhe çështja i ka kaluar asaj si relatore me shortin e datës 21.12.2021”.
Pra, faji i mbetet sistemit të reformuar që e vinte dosjen e Medat Hasanit pas 4500 dosjeve të tjera në tryezën e po të njëjtës gjyqtare. Rendin e përcakton koha e depozitimit. Kolegji sjell dhe një tjetër arsyetim: Parimi i gjykimit brenda një afati të arsyeshëm nuk duhet të keqkuptohet dhe në asnjë rast cilësia e procesit të rregullt ligjor dhe e vendimmarrjes së gjykatës nuk duhet të sakrifikohet për sasinë e afatit të arsyeshëm.
E kur gjykata e lartë vlerëson se nuk ka një zvarritje të qëllimshme të procesit, madje se vonesa është në të mirë të tij, kërkuesit i mbetet të presë disa vite për të marrë paratë që i ka përfituar me një vendim gjykatë. (A2 Televizion)