Droga vlen 6 milionë euro, 29-vjeçari shqiptar kapet me 72 kg kokainë

Nga A2 CNN
24 Qershor 2023, 10:14 | Kronikë

Një sasi rekord kokaine sa i përket posedimit nga një person i vetëm është sekuestruar nga policia italiane në Reggio Emilia.

Autoritetet kanë zbuluar në total 72 kg kokainë dhe 50 mijë euro cash, të cilat ishin në zotërim të një 29-vjeçari shqiptar.

Gjithçka filloi më 21 qershor, me një kontroll rutinor në rrugë të një makine “Peugeot 208”, e cila po lëvizte drejt Cavriago nga zona e stadiumit Mapei.

Burri që drejtonte makinën nuk iu bind urdhërit të ndalimit të oficerëve dhe bëri krejtësisht të kundërtën duke tentuar të largohej me shpejtësi.

Pas një ndjekjeje që ka zgjatur disa minuta, i arratisuri u përpoq të shamnge policinë në një rrugë që rezultoi e bllokuar në fund dhe më pas ka braktisur mjetin në rrugë.

Pavarësisht përpjekjeve të tij, 29-vjeçari shqiptar është bllokuar menjëherë nga policia.

Nga kontrolli fillestar në makinën e tij u zbuluan 30,000 euro cash, të mbështjella në tre tufa me natriban.

Kokaina e sekuestruar nga policia e Reggio Emilia

Më pas kontrollet vazhduan në shtëpinë e tij, në zonën e stadiumit Mapei.

Këtu, surpriza gjendej në garazhin që kishte në dispozicion i riu, ku ndodhej një makinë e dytë. Brenda saj janë gjetur 48 pako kokainë, me logon e firmave të njohura “Boss” dhe “Louis Vuitton” të stampuar në pako, për të garantuar njohjen e zinxhirit të furnizimit.

Gjithashtu janë gjetur dy kilogramë të paketuara me vakum dhe pesë të mbështjella në formë të çrregullt.

Mjeti po ashtu ka një vend të fshehtë ku u gjetën 9 pako të tjera me të njëjtën logo dhe dy tufa parash, me nga dhjetë mijë euro secila.

Në total janë rreth 72 kg kokainë që në tavolinën e komisariatit duken si tulla që mjaftojnë për të ngritur një mur të ulët.

“Në tregun me shumicë kjo sasi mund të kapte vlerën e 2 milionë e 200 mijë euro”, sqaroi oficeri Guglielmo Battisti.

Kontrollet mbi përbërësin aktiv do të përcaktojnë shkallën e pastërtisë së kokainës, por mund të llogaritet se, pasi të ishte prerë për t’u shitur në doza të vogla, droga do t'i kishte sjellë trafikantëve fitime në shumë 6 milionë euro.

Policia italiane ende e ka të paqartë se nga erdhi kokaina dhe si ra në duart e 29-vjeçarit shqiptar, i cili është arrestuar në flagrancë për shpërndarje droge

Por autoritetet besojnë se në bazë të sasisë dhe kujdesit të ambalazhit, droga ka ardhur direkt nga prodhuesit, pa ndërmjetës dhe kjo të çon në Amerikën Latine. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos