
Sigurimi i dronëve shpërthyes të Iranit për Rusinë përbën shkelje të sanksioneve të OKB-së. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara lidhur me çështjen është në një linjë me atë të aleatëve perëndimorë.
Kievi u sulmua me të ashtuquajturit dronë kamikazë, ditën e hënë, që besohet se janë prodhuar në Iran. Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë ju bashkua konstatimit të Francës dhe Britanisë së Madhe, se dronët shkelin rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit.
Rezoluta e lidhur me marrëveshjen bërthamore me Teheranin, ndalon iranianët të transferojnë teknologji të caktuar ushtarake.
“Besojmë se këta dronë që janë transferuar nga Irani në Rusi dhe u përdorën nga Moska në Ukrainë, janë mes armëve që duhet të qëndronin në embargo mbi bazë të rezolutës 22-31”, tha Vedant Patel, zëdhënës i DASH.
Ukraina identifikoi dronët, ose pajisjet ajrore pa pilot, si prodhimet iraniane Shahed-136. Quhen dronë kamikazë sipas pilotëve japonezë që fluturonin në misione vetëvrarëse gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Irani mohon t’ia ketë ofruar ato Rusisë, por zëdhënësi i DASH theksoi se Shtetet e Bashkuara kishin ekspozuar publikisht se Moska kishte siguruar dronë nga Irani dhe se ky ishte pjesë e një plani për të importuar qindra armatime të ngjashme. Sipas tij, ekzistojnë prova të shumta se ushtria e Putinit po i përdor ato në Ukrainë. Thellimi i aleancës mes Rusisë dhe Iranit, thotë Departamenti i Shtetit, është diçka që e gjithë bota duhet ta shohë si kërcënim.
Infrastrukturë kritike u godit të hënën në rajonet e Kievit, Dnipros dhe Sumit, me energjinë elektrike që u ndërpre në qindra qyteza e fshatra. Të paktën 8 persona mbetën të vrarë, 4 në Kiev dhe 4 të tjerë në Sumi. Shtetet e Bashkuara deklaruan se do të mbanin Rusinë përgjegjëse për krime lufte. (A2 Televizion)