​“Dua 6 pikë nga 2 ndeshjet e radhës”, Sylvinho shpjegon pse la jashtë Odise Roshin

Nga A2 CNN
5 Qershor 2023, 13:25 | Futboll
​“Dua 6 pikë nga 2 ndeshjet e radhës”, Sylvinho shpjegon

Trajneri i ri i Shqipërisë duket se i ka objektivat e qarta, 6 pikë nga 2 ndeshjet e parë të vlefshme për kualifikueset e Euro 2024, kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe.

Këtë theksoi braziliani në një konferencë për mediat, para dy sfidave të qershorit. “Sigurisht që të gjitha mundësitë i kemi për të marrë fitore në këto dy ndeshje, përveç lojës së bukur për të marrë edhe gjashtë pikët, por fusha do të na tregojë më shumë se sa jemi në gjendje ta bëjmë këtë", tha Sylvinho.

"Sigurisht rezultati nuk është diçka që mund ta kontrollosh, por ne kemi një rrugë të gjatë përpara me shtatë finale që të gjitha ndeshje që janë për t’u fituar, por është e rëndësishme të luajmë mirë edhe të marrim pikë. Por në këtë moment që flasim, unë kam në mendje vetëm Moldavinë dhe më pas do të mendojmë për ndeshjet e tjera”.

I pyetur për lënien jashtë të Odise Roshit, trajneri kuqezi u përgjigj: “Është një lojtar shumë i rëndësishëm për kombëtaren. Nuk është për këto dy ndeshje, por kjo nuk do thotë se në shtator ai nuk do të jetë me ne. Kam folur me të, është një lojtar shumë i aftë në krahun e djathtë dhe të gjithë e kemi parasysh se çfarë është në gjendje të bëjë, por në këtë moment, kemi lojtarë të tjerë që mund ta bëjnë shumë mirë atë rol dhe prandaj kam menduar që t’i jap mundësinë lojtarëve të tjerë”.

Shqipëria është pjesë e grupit E të kualifikuese për turneun që do të zhvillohet në Gjermani, vitin e ardhshëm. Përveç Moldavisë dhe Ishujve Faroe, në grup janë edhe Çekia e Polonia, kundër së cilës, kombëtarja humbi ndeshjen e parë me rezultatin 1-0. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos