Dua Lipa publikon hartën me trojet etnike shqiptare, inatosen serbët

Nga A2 CNN
21 Korrik 2020, 16:51 | Showbiz

Dua Lipa inatos serbët në internet duke postuar hartën e trojeve etnike shqiptare. Këngëtarja u bë pjesë e fushatës së ndërgjegjësimit të “Apple” për të vendosur Kosovës në hartë, por një postim në rrjetet sociale po i hap pak probleme yllit të popit. Prej kohësh, në internet ka nisur një fushatë për t’i tërhequr vëmendjen kompanisë “Apple” të vendosë Kosovën në hartë.

Pjesë e saj u bë së fundmi dhe këngëtarja e njohur, Dua Lipa, që ka një lidhje tepër të ngushtë emocionale me këtë shtet. Ylli i popit publikoi në rrjete sociale një imazh të hartës së Shqipërisë së Madhe me mbishkrimin “autochthonous”, njëjtë me flamurin që ndërpreu ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë në vitin 2014. Madje e shpjegoi këtë term të përdorur.

“Au-toch-tho-nous, mbiemër, person indigjen që nuk e ka prejardhjen nga emigrantët apo kolonistët”, shkroi Dua bashkëngjitur postimit.

Ky imazh ka nxitur mjaft reagime në internet, me trojet shqipfolëse që kanë shfaqur mbështetje për fushatën lidhur me vendosjen e Kosovës në hartë nga Apple. Gjithashtu, ka nxitur edhe zemërim, kryesisht nga profile të shtetasve të Serbisë. Në postimin e Duas janë shfaqur komente si “Kosova është Serbi” dhe madje akuzohet këngëtarja si “fashiste”, teksa është nisur një fushatë me hashtagun #CancelDuaLipa”, thënë në shqip bojkoto Dua Lipën.

Ndërkohë, fushata “Vendos Kosovën në Hartë” ka marrë mbështetjen e mbi 120 mijë personave që kanë firmosur një peticion online si dhe të emrave të tjerë të skenës ndërkombëtare si Rita Ora. Këngëtarja Dua Lipa, në të gjitha prononcimet e saj publike sjell në vëmendje me krenari prejardhjen shqiptare dhe shpjegon traditat e vendit të origjinës. Ajo ka lindur në Britani të Madhe me prindër nga Kosova. Ylli i popit ka fituar çmime të ndryshme ndërkombëtare si Gramy, British Awards, etj. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2020/07/19/autochthonous-perfundon-ne-instagram-in-me-48-mln-ndjekes/

A2 CNN Livestream

Latest Videos