“Duhet aksion kombëtar për përmbytjet”, Prençi: Kemi sistem modern paralajmërimi, por jo reagim të institucioneve

Nga A2 CNN
13 Janar 2021, 20:52 | Aktualitet
“Duhet aksion kombëtar për përmbytjet”,

Prej 10 vjetësh Shqipëria kërcënohet nga përmbytjet si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të shiut. Ish-kreu i Emergjencave Civile Shemsi Prençi deklaroi në studion e A2 CNN se pavarësisht që vendi ynë ka një sistem të paralajmërimit modern me fjalën e fundit të shkencës, institucionet përgjegjëse nuk reagojnë ndaj këtij paralajmërimi, duke sjellë në vëmendje rastin më të fundit të përmbytjeve.

“Kemi sistem të paralajmërimit modern. Ka fjalën e fundit të shkencës mirëpo ka një problem se strukturat qeveritare dhe institucionet nuk e dëgjojnë zërin e shkencës si shërbimi meteorologjik. Kanë dhënë alarmin me situatën e pritshme të janarit dhe ai informacion ra në vesh të shurdhët dhe në datën 6 e hodhi në rrjetet sociale, por asnjë institucion nuk reagoi për forcimin e argjinaturave”.

Sipas tij nëse qytetarët do të ishin informuar në kohë do të kishin marrë masa për përmbytjet dhe largimin e bagëtive.

“Në një situatë të pritshme, ministria e Mbrojtjes duhet të komunikojë me publikun, duhet ta përcjellë te prefekturat e bashkitë edhe përmes mediave. Nëse qytetari do ta merrte këtë informacion, do të merrte  masa dhe do t’i largonte bagëtitë, por kjo nuk ndodh se nuk funksionon zinxhiri”.

Ish-kreu i Emergjencave bën thirrje për një aksion kombëtar për pastrimin e kanaleve kulluese gjatë vjeshtës dhe hartimin e një protokolli standard. Sipas tij sot një pjesë e hidrovoreve janë amortizuar dhe kanë vetëm 30% të kapacitetit të tyre.

“Për hir të së vërtetës ai regjim (në komunizëm) pasi mbaronin të vjelat në vjeshtë aksioni kombëtar ishte pastrimi i kanaleve kulluese që nga niveli i ulët te nivelet e larta nuk bëhej fjalë për hidrovorin. Nëse nuk kishte kapacitet hiodrovori shkoje në burg. Sot një pjesë e hidrovoreve janë të amortizuar dhe nuk nxjerrin maksimumin, por minimumi 30% e kapacitetit të tyre. Të njëjtën gjë bëjnë motorët e pompat. Nuk ka kapacitet maksimal për shkak të amortizimit, nuk kemi mirëmbajtur dhe deltat  e lumenjve. Tani po krijohen laguna të reja. Gjithë plehrat janë hedhur në lumin e Tiranës. Sistemi i kullimit në Shqipëri nuk besoj që duhet bërë pjesë e premtimeve elektorale se është detyrë shtetërore. Duhet aksion kombëtar për t’i pastruar pastaj duhet të hartuar një protokoll, një procedurë standarde nëse një kryetar bashkiak nuk garanton raportimin e pastrimit të gjithë kanaleve”.

Prençi thekson se parashikon që duhet të hartohet një plan masash kombëtar me angazhimin e të gjitha kapaciteteve njerëzore edhe teknike në funksion të përmbytjeve, por kjo sipas tij nuk është bërë për vitin 2021.

“Kjo ka të bëjë me përgjegjshmërinë e çdo drejtuesi të institucionit. Është një plan kombëtar i mbrojtjes civile dhe ai ekziston prej 7-8 vitesh, por problemi kryesor është se po nuk dha urdhër i pari askush nuk vepron. Këtu për 4 ditë nuk u mblodh komiteti i mbrojtjes civile që e ka detyrim ligjor,  por në dt. 8 u mblodh komiteti, i cili duhet mbledhur kur shpallet gjendja e emergjencës.

Ministri i linjës merr iniciativën dhe mbledh komitetin, ministrat ishin, por deri sa erdhi kryeministri nuk u bë asnjë mbledhje as shtabet e prefekturave. I vetmi kryetar bashkie që del nga rreshti ishte Pjerin Ndreu, që deklaroi situatën në prag katastrofe në Lezhe. Por deri në atë ditë asnjë strukturë shtetërore nuk kishte mbërritur në Lezhë. Përmbytjet ndodhën në Shkodër kurse ministrja inspektoi Fierin që nuk kishte rrezik për përmbytje. Zyrtarët e lartë shtetërorë ende nuk e kanë prekur Shkodrën”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos