
Para prezantimit të trajnerit të ri të Kombëtares, Sylvinho, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka falënderuar Edy Reja-n për punën e bërë, teksa italiani ishte i pranishëm në konferencën për mediat.
Duka u shpreh se Reja ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të mirë të FHSF-së. “Jemi në këtë komunikim publik për të mbyllur një cikël dhe për të filluar me një staf të ri për ekipin tonë kombëtar. Do të doja ta falënderoja Reja-n për kontributin e dhënë, për rezultatet e arritura. Në këto 3 vite e gjysmë, Reja ka një bilanc të barabartë mes fitoreve dhe humbjeve, ka bërë një punë të mirë në afrimin e elementeve të reja.
Shpeshherë ka qenë i kritikuar, por nëse nuk i afron mundësi elementeve të reja është e vështirë rrjedhshmëria e brezave. Reja ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të mirë të FHSF-së dhe do të vazhdojë në marrëdhënien humane të mbetet i tillë. Ky nuk është një takim formal, por do të vazhdojë mes komunikimit mes stafit të vjetër dhe të ri”, u shpreh Duka. (A2 Televizion)