
Grida Duma, kandidate për deputete e Partisë Demokratike, deklaroi në një lidhje direkte me studion e “Absolut 4” në A2, se po përdoret administrata për të fituar vota, duke u fryrë në dy muajt e fundit.
“Është fryrë administrata në dy muajt e fundit. Ky është trend, përdorimi i administratës për të fituar vota. Keqardhja ime e madhe është që e fryjnë atje ku nuk japin shërbime dhe heqin mësues dhe psikologë, që i ka të nevojshëm komuniteti”, tha Duma.
“Për ta bërë populiste çështjen elektorale, zgjerohen nëpër ujësjellësa dhe ndërmarrje ku nuk ka shërbime. Në bashkitë e vogla është shkatërruar mundësia që pushteti dhe shteti të kenë institucione pranë qytetarëve”, shtoi Duma.
Sipas saj, edhe pse “në Rrogozhinë pothuajse nuk ka pasur dëme tërmeti, ajo që po ndodh është se janë shënuar në regjistra 1700 familje këto 3-4 muajt e fundit”.
“Këta janë njerëz të deklaruar të Partisë Socialiste, sepse dhe komisionet që merren me dëmet e tërmetit janë të Partisë Socialiste. Ironia është që tërmeti nuk ka goditur aq sa në Durrës apo zona të tjera, por fondet e tërmetit po përdoren për fushatë elektorale”, nënvizoi Duma.
Sa i përket vaksinimit, Duma tha: “Ka shkaktuar shumë dyshime se si është menaxhuar çështja e vaksinimit. Mosha e tretë ka dyshim të madh nëse duhen bërë ose jo, a janë vaksinat kineze të sigurta. Por, problemi më i madh është emigracioni i rinisë. Ka mbetur mosha e tretë dhe tokat djerrë sepse bujqësia kërkon krahë dhe forcë fizike”. (A2 Televizion)