
Kanë dalë para gjykatës këtë të enjte dy personat e arrestuar pasi dyshohet se do të kryenin një atentat në qytetin e Elbasanit.
Mësohet se gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg me afat 60 ditë për Arsen Preçin dhe arrest me burg për Arben Spahiun.
Spahiu akuzohet për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”. Ndërkohë, Preçi akuzohet për “Mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Dy personat u vunë në pranga nga operacioni “Inteligjenca”. “Pas kontrollit në terren, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”, shërbimet e Policisë gjetën një automjet tip “BMW X6”, brenda të cilit u gjetën 3 armë zjarri kallashnikov dhe 2 bidonë me lëndë djegëse (benzinë). Gjithashtu, në afërsi të një koshi mbeturinash, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një çantë, brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë.
Personat e dyshuar, për shkak të presionit policor në terren, fshehën automjetin me të cilin qarkullonin, armët e zjarrit, bidonët me benzinë dhe mjete të tjera me të cilat do të kryenin krimin”, tha policia. (A2 Televizion)