
Muxhahedinët e strehuar në vendin tonë dyshohet të kenë kryer sulme kibernetike në disa periudha të ndryshme kohore kundër Iranit. Kjo është arsyeja pse Prokuroria e Posaçme ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj këtij grupimi, referuar vendimit të gjykatës për miratimin e operacionit policor, që A2 CNN ka lexuar.
Hetimi ka nisur nga njësia “C” e Krimit Kompjuterik, pas një artikulli të publikuar në agjencinë turke të lajmeve “Anadolou Ajansi”, ku ishte botuar një artikull në të cilin Ministra e Jashtme e Iranit konfirmonte një sulm kibernetik. Sipas artikullit, një grup iranian hakerash “Ghiam Sarnegouni” - “Kryengritje deri në përmbysje”, kishin nisur të bashkëpunonin me MEK, që në Iran është cilësuar organizatë terroriste.
Hakerat kishin arritur të hynin në disa faqe online të qeverisë së Teheranit duke publikuar qindra dokumente qeveritare. Në të gjitha faqet e hakuara, hakerat kishin shfaqur foton e lideres së MEK, Maryam Rajavi, si dhe fotot e liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, dhe presidentit Raisi, me kryq të kuq mbi ta.
Në dosje thuhet se këto sulme janë bërë shkak për sulmet kibernetike të nisura nga Irani në drejtim të vendit tonë gjatë vitit të kaluar, ku u bllokuan për periudha të ndryshme disa faqe të institucioneve shtetërore, si dhe sistemi TIMS apo e-Albania.
Në kushtet ku ka dyshime të arsyeshme se organizata MEK nga territori i Republikës së Shqipërisë ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore dhe drejt disa institucioneve të shtetit të Iranit. Duke qenë se statusi i qëndrimit të organizatës MEK në Shqipëri është humanitar, Republika Islamike e Iranit në vazhdimësi ka pretenduar duke ngritur këto dyshime si dhe në mënyrë të vazhdueshme kërcënon se do të ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë dhe organizatës MEK. Po ashtu, Republika Islamike e Iranit ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës së Shqipërisë përpara disa kohësh, gjë e cila ka cenuar seriozisht sigurinë kibernetike dhe integritetin kibernetik të shtetit shqiptar.
Me qëllim gjetjen e serverëve apo pajisjeve të tjera kompjuterike që mund të jenë përdorur për sulmet kibernetike nga territori i Republikës së Shqipërisë është e domosdoshme kryerja e kontrollit në vendqëndrimin e pjesëtarëve të organizatës MEK në Durrës, Shqipëri.
Në rastin konkret, nga hetimet e deritanishme dhe të dhënat e referuara nga ana e policisë gjyqësore rezulton se ka dyshime për faktin se pjesëtarë të organizatës Mek me vendqëndrim në Manëz, Durrës, Shqipëri, janë të përfshirë në aktivitet kriminal të terrorizmit dhe financimit të terrorizmit.
Për këto arsye, kjo gjykatë çmon si të drejtë dhe të bazuar në ligj kërkesën e prokurorit për lejimin e kontrollit të ambienteve të sipërcituara. (A2 Televizion)
Pjesë nga vendimi i gjykatës.