Më shumë se 5 tonë kokainë, që ishin nisur nga Kolumbia, u sekuestrua në dy operacione të ndryshme.
Një sasi prej më shumë se 1 tonësh u kap mbi një skaf që po përpiqej ta dërgonte drogën nga Kolumbia në Panama, të dielën e kaluar. Në operacionin e përbashkët të autoriteteve të dy vendeve, skafi i shpejtësisë së lartë u pikas në ishullin San Andres. Në pamjet e publikuara nga ushtria kolumbiane duket se trafikantët përpiqen të hedhin lëndën narkotike në det, por ajo u rikuperua.
Në total u arrestuan 5 persona, të cilët ishin Kolumbia dhe Nikaragua, ndërsa u rikuperuan mbi 60 pako me kokainë të pastër.
Po të dielën e kaluar, Policia e Kosta Rikës sekuestroi 4,3 tonë kokainë që vinte gjithashtu nga Kolumbia. Sipas autoriteteve lokale kjo ishte sasia e dytë më e madhe e drogës e sekuestruar në historinë e vendit.
Vendi në Amerikën Qendrore është bërë pikë e rëndësishme transiti për trafikun ndërkombëtar të drogës, drejt Shteteve të Bashkuara, por edhe Europës.
Në vitin 2020, autoritetet kanë raportuar në total sekuestrimin e 57 tonëve kokainë dhe 14,5 tonëve marijuanë. (A2 Televizion)